Haradinaj, qeverisë: Duam llogaridhënie për paranë publike

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga qeveria Kurti që të publikojë të gjitha shpenzimet që janë bërë në sektorin energjetik që nga 1 tetori i vitit të kaluar.

“Me këtë nuk nënkuptojmë vetëm ndarjet buxhetore, por tërë energjinë që është blerë nga KESCO/KOSTT (vlera e devijimeve) apo çfarëdo mekanizmi që ka blerë rrymë për Kosovë, si dhe të gjitha kontratat që janë bërë për kthime”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj po ashtu ka kërkuar që të publikohen emrat e kompanive nga të cilat është blerë rryma dhe metodologjia e kontraktimeve.

“E pakuptueshme mjegulla që kjo qeveri po krijon në raport me rrymën elektrike dhe transaksionet financiare rreth saj”, u shpreh deputeti.

“E qartë që me bojlerët, filterat dhe lopatat le të merren ata që duan, por qytetarit të Kosovës kjo nuk i intereson”, shtoi tutje ai.

“Duam llogaridhënie për paranë publike”, përfundoi Haradinaj.