Haradinaj: Rexhep Mala e Nuhi Berisha ishin paralajmëruesit e UÇK-së e cila solli lirinë

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorërve në Gjilan, në kujtim e nderim të heronjëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha në 40-vjetorin e rënies.

Ai ka thënë se Mala e Berisha ishin vazhdimësi e përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e atdheut.

“Bashkë me kolegë bëmë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Gjilan, në kujtim e nderim të Heronjëve të Kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, si dhe vizituam familjet e tyre në 40-vjetorin e rënies heroike”.

“Kodra e Trimave në Prishtinë mban këtë emër në saje të trimërisë, të guximit e të gatishmërisë për sakrificë të Rexhës e Nuhiut. Ata ishin vazhdimësi e përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e atdheut”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se këto dy figura ishin paralajmëruesit e UÇK-së.

“Këto dy figura të ndritura, ishin përveç motiv për vazhdimësi dhe organizime të tjera e të shumta, ishin edhe paralajmëruesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila e solli lirinë. Emrat e tyre si dhe jeta e vepra e tyre, është pasuri për historinë tonë të lavdishme!”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka viziuar edhe kazermën e Ushtrisë së Kosovës në Gjilan.

“Gjithashtu vizituam kazermën e Ushtrisë së Kosovës në Gjilan, ku u njoftuam me punën dhe të arriturat e ushtrisë sonë”.

“Të impresionuar, me energjinë e vitalitetin që posedon ushtria jonë! Të motivuar nga trimëria dhe guximi i heronjve si; Nuhiu e Rexhepi dhe e kaluara e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.