Haradinaj: Serbia sponsorizoi sulme terroriste, kishte armë të shkatërrimit në masë

Ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, deklaron se Serbia është sponsorizuese e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Sulm terrorist ky që ka mundur të jetë shumë më tragjik.

Haradinaj shprehet se përdorimi i gjithë atij arsenali armësh e municioni do të mund të kishte shkaktuar pasoja të mëdha.

“Kjo njësi terroriste është e sponsorizuar nga Serbia, nuk është fare e tepruar me thanë se shtetet e tjera që e kane sponsorizu terrorizimin në të kaluarën janë të sanksionuara nga bota, edhe Serbia e ka bë të njëjtin veprim – ka sponsorizuar një formacion terrorist dhe sulme terroriste, që ka mujt me qenë shumë më tragjik. Ne e kemi jetën e një polici të humbur, por një përdorim i gjithë atij arsenali armësh do të kishte shkaktuar pasoja më të mëdha. Për këtë edhe kam kërku një hetim ndërkombëtar. Por Serbia nuk do të bashkëpunojë, shumica e përgjegjësve shkuan në Serbi”, tha Haradnaj në Pressing.

“Ata që janë vra nuk kanë pas ndonjë rol udhëheqës të grupit, kanë mujtë me qenë logjistikë-nikoqir”, tha ai.

“Por ekipa udhëheqëse, shtabi i tyre, as nuk u rrëzu e as nuk u vra. Të gjithë e morën si destinacion Serbinë”, tha Haradinaj.

Prandaj, ai thotë se do të duhej një hetim ndërkombëtar sepse Serbia nuk i dorëzon pjesëmarrësit e grupit terrorist.

“Duhet një hetim transparent, i paanshëm…Serbia nuk i dorëzon pjesëmarrësit”, tha ai