Haradinaj: Situata alarmante, Qeveria po kopjon plane që s’kanë lidhje me specifikat e Kosovës

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje që menjëherë të përgatitet Parku Inovativ Trajnues në Prizren si qendër rezervë për karantinë dhe trajtim mjekësor, pas konfirmimit të 13 rasteve me coronavirus në Kosovë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se Qeveria po kopjon plane të cilat nuk përkojnë me kapacitetet dhe specifikat e vendit.

“Situata me virusin COVID-19 është në pikën alarmante. Qeveria ende nuk ka bërë përgatitjet e duhura nëse gjendja përshkallëzohet. Menjëherë të përgatitet Parku Inovativ Trajnues në Prizren si qendër rezervë për karantinë dhe trajtim mjekësor duke u shërbyer me planin operativ i cili është aplikuar me rastin e tërmetit në Shqipëri, ku u strehuan të prekurit atje”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, Kosova të premten edhe zyrtarisht ka hyrë në mesin e shteteve të prekura nga virusi i rrezikshëm, COVID-19, apo i njohur si coronavirus. Që nga dita e premte e deri më sot, në Kosovë janë 13 raste të personave të prekur me coronavirus.