Haradinaj-Stublla viziton varret e vëllezërve Bytyqi në New York

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, gjatë vizitës së saj në SHBA, sot ka nderuar veprën e vëllezërve Bytyqi.

Haradinaj – Stublla ka vënë kurora me lule pranë varreve të Yll, Agron e Mehmet Bytyqi në varrezat Yonkers të Nju Jorkut, duke premtuar se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për gjitha krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.

Postimi i saj: 

Bashkë me prindërit e heronjve të Kosovës, vëllezërve Yll, Agron e Mehmet Bytyqi, para varrit të tyre në varrezat e Yonkers të Nju Jorkut, si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, shpreha nderimet më të thella për sakrificën e familjes Bytyqi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Bashkëndjeva dhimbjen e nënës Bahrije dhe bashkëluftëtarëve të “Batalionit Atlantiku”, duke vazhduar premtimin se nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet gjenocidale të Serbisë të kryera në Kosovë.

Rezoluta e miratuar në Kongresin Amerikan, në shkurt të vitit 2017, është mesazh i qartë për Serbinë – se pranimi i fajësisë, kërkimfalja dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave e vrasjeve të shqiptarëve të Kosovës, është rruga e vetme që na shpie tek paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti në rajon.