Haradinaj: Thaçi, Veseli e të gjithë bashkëluftëtarët e mi, duhet ta kenë përkrahjen e Qeverisë, pa asnjë rezervë

Kryetari i AAK-së, Ramush HARADINAJ, përmes një statusi në FB ka reaguar, pas deklaratës së presidentit Hashim Thaçi, se atij i është konfirmuar ngritja e aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Haradinaj ka thënë se Thaçi e Veseli e të gjithë bashkëluftëtarët e tij, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë.

Ky është postimi i tij:

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte faktor uniteti në vitet e krenarisë dhe sakrificës. Sot, të gjithë ne si popull, por edhe si liderë politik, duhet të tregojmë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara.

Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mi, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë.
Duke besuar fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë.

RH