Haradinaj tregon se çfarë u diskutua me anëtarët e Bundestag

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar për takimin që ka pasur mëngjesin e sotëm në Berlin me anëtarët e Grupit Parlamentar për Europën Juglindore të Bundestagut, Josip Juratovic, Nezahat Baradari nga SPD dhe Friedrich Ostendorff, Die Grünen.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar po ashtu se qytetarët e Kosovës presin që Gjermania t’i japë epilog pozitiv regjimit të vizave, dhe në takim është diskutuar edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Gjatë vizitës zyrtare në Berlin, pata një mëngjes pune me anëtarët e Grupit Parlamentar për Europën Juglindore të Bundestagut, Josip Juratovic, Nezahat Baradari nga SPD dhe Friedrich Ostendorff, Die Grünen.

Me deputetët gjermanë biseduam për zhvillimet e gjithmbarshme në vend dhe rajon, për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë-Gjermani dhe procesin e dialogut me Serbinë. Kam shprehur qendrimin se Kosova është pro dialogut për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues.

Ritheksova se qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave dhe me të drejtë presin që Gjermania t’i japë këtij procesi epilog pozitiv.
Roli i shtetit gjerman ka qenë dhe mbetet i fuqishëm për konsolidimin e brendshëm e të jashtëm të shtetit tonë dhe aktualisht jemi në pikën kulmore të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë!

RH