Haradinaj uron edhe një herë për vizat, ja arsyeja

Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë edhe një urim për liberalizimin e vizave. Ai e ka parë pozitiv një shkrim të gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku shkruhet rreth vendimit të ministrit të Brendshëm të Gjermanisë për ta mbështetur heqjen e vizave për kosovarët.

“Gjermania edhe një herë konfirmon mbështetjen e Kosovës për liberalizimin e vizave. Në publikimin e radhës të FAZ, theksohet mbështetja e ministrit të Brendshëm të Gjermanisë, Seehofer, për procesin e liberalizimit të vizave, duke e konsideruar të justifikueshme kërkesën e kosovarëve për të lëvizur të lirë dhe duke këmbëngulur që Kosova përmbush kriteret e nevojshme për këtë proces”, shkruan shefi i Qeverisë.

Haradinaj citon edhe pjesë të artikullit duke rikujtuar se heqjes së vizave i kishte dhënë mbështetje edhe deputeti i Partisë së Gjelbër, Manuel Sarrazin, derisa në korrik të 2018-ës, Komisioni i BE-së konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat, e po të njëjtin vlerësim vendi e mori edhe nga Parlamenti Europian.

“Tani Kosova ka krijuar ekipin e saj për të bashkëpunuar me Qeverinë gjermane, që ky proces të finalizohet sa më parë.

Kosovarët tashmë e kanë marrë PO-në e madhe nga Gjermania, për ta jetësuar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë.