Haradinaj: Urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve po dëshmohet edhe me mohimin e masakrës së Reçakut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se urrejtja patologjike e Aleksandër Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, “se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar”.

Haradinaj, përmes një postimi në facebook, ka thënë se qëndrimi i Vuçiqit dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale po e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit.

Postimi i plotë:

“Urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, “se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar”.

Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit.

Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe urrejtja ndaj secilës etni është vepër e dënueshme me ligj.

Është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja, duke kontaminuar kështu të ardhmen e tyre dhe duke zvogëluar shanset për paqe dhe pajtim në rajon”./Fokusi.info/