Harrison: Terroristët synonin t’i sulmonin serbët e t’ia linin fajin Kosovës

Ish-ushtari britanik i UÇK-së, Jon Harrison, vlerëson se ushtarët serbë që janë futur në Kosovë, gjegjësisht në fshatin Banjskë, duken tejet të trajnuar dhe pajisjet që bartnin ishin tejet specifike dhe se është vetëm fat që nuk janë vrarë më shumë njerëz, sepse siç tha, ato pajisje që ata bartnin mund të shkaktonin shumë më shumë dëme.

Për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Harrison shtoi se mendon që ky rast është bërë me qëllim aneksimin e veriut.

“Është rast i një operacioni të fshehtë nën flamur të rremë. Do të sulmonin një zonë me civilë serbë dhe pastaj të fajësonin shqiptarët e Kosovës duke u arsyetuar me këtë që të futen në Kosovë për të ‘mbrojtur qytetarët e tyre në veri’”, deklaroi ushtaraku britanik i UÇK-së, Jon Harrison.