Haxhiu i reagon Çekut për 27 stadiumet: Mashtrimi nuk kalon

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i ka reaguar ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili tha se në 5 vitet e ardhshme do të ndërtohen e rinovohen 27 stadiume.

Sipas Haxhiut, Çeku, tash e tri vjet i ka bllokuar investimet në sport, në Stadiumin Nacional afër aeroportit të Prishtinës, Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, stadiumin e Gjilanit, Pejës, Gjakovës e Drenasit, me arsyetimin se duhet të miratohet strategjia për sportin.

“Tani ministri Çeku pa pasur strategji të miratuar për sportin po premton projekte për 5 vite! A duhet të jap llogari ministri Çeku për bllokimin e investimeve në stadiumet tona të cila janë shndërruar në gërmadha për shkak të ndërprerjes së investimeve. Mashtrimi nuk kalon”, shkroi Haxhiu, transmeton Klankosova.tv.

Ai falënderoi Komitetin Olimpik të Lojërave Mesdhetare për vendimin e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, që sipas tij, zgjoi vetëdijen e qeverisë për investime në sport.