Haxhiu pas vrasjes së 18 vjeçares në Ferizaj: Dhuna duhet të dënohet ashpër

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas raportimit të djeshëm për skandalin dhunues qe ndodhi ndaj vajzës 18 vjeçare në Ferizaj e cila përfundoj me fatalitet.

Haxhiu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar ndaj këtij rasti, duke u ka bërë thirrje të mobilizohen të gjitha institucionet duke filluar nga policia, prokuroria dhe gjykata qe t’i trajtojnë me prioritet e me seriozitetin maksimal rastet e tilla.

Po ashtu, Haxhiu theksoi se, institucionet kompetente duhet të jenë në dispozicion në çdo kohë, pa vonesa e me përkushtim maksimal ndaj rasteve të dhunës të cilat raportohen nga qytetarët.

“Cenimi i lirisë, qoftë përmes ngacmimeve seksuale, shantazheve e deri te dhuna ndaj grave apo kujtdo tjetër, është e papranueshme dhe si e tillë duhet të trajtohet, pa kompromis ndaj dhunës, e me dënimin e merituar ndaj dhunuesve”, theksoi Haxhiu./Lajmi.net/

Postimi i plotë i Albulena Haxhiut:

Dje nga mediat mësuam se një tjetër dhunim ndaj një vajze të re 18 vjeçare ka përfunduar me fatalitet.

Dhuna e këtyre përmasave është alarm që duhet të mobilizojë institucionet e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, t’i trajtojnë me prioritet e me seriozitetin maksimal rastet e tilla, kurse dhunuesit të vihen përballë drejtësisë.

Inkurajimit të qytetarëve për të raportuar dhunën, duhet t’i përgjigjemi me veprime konkrete, në gjetjen e dhunuesve dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë.

Është e domosdoshme të veprojmë, pa vonesa, e me përkushtim maksimal.

Cenimi i lirisë, qoftë përmes ngacmimeve seksuale, shantazheve e deri te dhuna ndaj grave apo kujtdo tjetër, është e papranueshme dhe si e tillë duhet të trajtohet, pa kompromis ndaj dhunës, e me dënimin e merituar ndaj dhunuesve.

Ky fenomen duhet të luftohet pareshtur. Dhuna nuk mund të normalizohet, si rrjedhojë duhet të dënohet ashpër.