Haxhiu: Rrënimi i burgut të Gurakocit ka për qëllim fshirjen dhe amnistimin e krimeve të Serbisë në Kosovë

Ish-ministrja e Drejtësisë në Qeverinë Kurti, Albulena Haxhiu, ka dalë kundër vendimit të Komunës së Istogut që të rrënohet Burgu i Gurakocit.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë që ky është një vendim i papranueshëm dhe ka për qëllim fshirjen dhe amnistimin e krimeve të Serbisë në Kosovë, shkruan Fokusi.info.

Sipas saj, secili vend në të cilin është ushtruar dhunë e janë maltretuar shqiptarët, duhet të bëhet muze.

“Komuna e Istogut duhet ta ndalojë ekzekutimin e atij vendimi skandaloz!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Postimi i plotë:

Që nga përfundimi i luftës është shtyer përpara tendenca e fshirjes së gjurmëve të krimeve që Serbia i ka bërë në Kosovë!

Ditëve të fundit kemi dëgjuar edhe për vendimin e Komunës së Istogut, që burgu i Gurrakocit, në të cilin janë dhunuar fizikisht shumë të burgosur shqiptarë të rrënohet!

Ky vendim është i papranueshëm dhe ka për qëllim fshirjen dhe amnistimin e krimeve të Serbisë në Kosovë. Krimet e Serbisë nuk duhet të fshihen ato duhet të shihen e kujtohen dhe dënohen. Qasja 20 vjeçare që është ndjekur, na ka sjellë këtu ku jemi!

Kanë kaluar më shumë se 20 vite të pasluftës dhe ne nuk kemi as dokumentim të krimeve të luftës, as dënim për kriminelët por ama kemi Gjykatë Speciale për UÇK-në!

Secili vend, në të cilin është ushtruar dhunë e janë maltretuar shqiparët duhet të bëhet Muze!

Komuna e Istogut duhet ta ndalojë ekzekutimin e atij vendimi skandaloz!