Haxhiu thotë se nuk e kupton hezitimin e LDK-së për të provuar rrëzimin e Haradinajt

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk e ka të qartë hezitimin e LDK-së, që të provojnë rrëzimin e Qeverisë Haradinaj me mocion, edhe pse i kanë vetëm 58 nënshkrime.

Në Interaktiv të KTV-së, ajo ka thënë se ia kanë shprehur edhe LDK-së këtë kërkesë, që të provojnë sa më parë mocionin e mosbesimit.

“Është e vërtetë që ka një kohë që jemi duke u angazhuar për organizimin e një mocioni për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Kemi shumë arsye për ta bërë këtë, meqë është bërë gjendje e papërballueshme për qytetarët. Është Qeveri e qindra, ndoshta e mijëra skandaleve”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se në VV mendojnë se kjo duhet të ndodhë sa më parë.

“Na duhen edhe 3 nënshkrime për ta rrëzuar Qeverinë. Nuk po e kuptojmë se pse po heziton këtu LDK-ja, që ta iniciojmë me 58 vota. Vetëm 40 nënshkrime na mjaftojnë për ta iniciuar. Pra le ta provojmë, sepse legjitimitetin kësaj Qeverie nuk ia japim edhe nëse nuk arrijmë ta rrëzojmë në këtë fazë”, ka thënë ajo. “Edhe nëse dështon mocioni, s’kemi çfarë të bëjmë, ecim me ballafaqime të tjera”, ka thënë më tej Haxhiu.

Ajo ka thënë se nuk është humbje e madhe nëse është fjala për afatin ligjor prej 90 ditësh.

“Edhe ashtu tash edhe pak Kuvendi shkon në pushim, dhe nuk kthehet deri në javën e dytë a të tretë të shtatorit. Pra gati po konsumohet ky afati 90 ditësh. Në tetor mund të provojmë prapë”, ka thënë Haxhiu.

“Jemi në kontakt me disa deputetë, njëri prej tyre është zoti Milaim Zeka”, ka thënë më tej ajo.