Haziri: Me fushatë ‘sondazhi’ tentojnë të na sulmojnë

Një sondazh i realizuar së fundmi për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka nxitur reagime të partisë në pushtet dhe ka nxehur gjakrat në kampin opozitar.

Në Lëvizjen Vetëvendosje e kanë mirëpritur sondazhin që partinë e tyre e nxjerr të parën me përqindje pothuajse sa ajo që e arritën në zgjedhjet e fundit.

Por, të pakënaqur dhe i papranueshëm është sondazhi për partinë që e udhëheq Lumir Abdixhiku, që nuk e ngre më shumë se në vend të tretë Lidhjen Demokratike të Kosovës. me 16 për qind të votave.

Ndaj, këtij sondazhi kanë reaguar zyrtarë të LDK-së.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se paskan tentuar me fushatë ‘sondazhi’ të na sulmojnë.

“Një javë pas opozitarizmit racional e të faktuar, punës së jashtëzakonshme në terren me qytetarët, interpelancës për tenderët njëburimor dhe videos së djeshme të kryetarit të LDK-së, paskan tentuar me fushatë ‘sondazhi’ të na sulmojnë. Ne ecim para drejt rikthimit të madh. Nuk ka kush na ndal. Ne kemi vendosur të punojmë deri në ditën e zgjedhjeve pa u ndal. LDK, shpresë e besë për Kosovën!”, ka shkruar Haziri në Facebook, transmeton Telegrafi.

Një reagim mbi sondazhin e ka bërë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke thënë se realiteti do ta dëshmojë të kundërtën.

“Këtë herë paskan treguar gjenerozitet, na paskan ulur vetëm në 16%. Me sondazhe mund të na ulin edhe më shumë, do ta bëjnë javëve në vijim, por realiteti ndryshon nga sondazhet e tyre. Mbajeni në mend, sa herë që ka një krizë, qeverisë i vjen një sondazh i ri. Herën e kaluar në ditën e faturave dyfish të energjisë elektrike, këtë herë në periudhën e shpërfaqjes së korrupsionit përmes kontratave sekrete e pazareve në katër sy”, ka theksuar ajo.

Qeveria Kurti tashmë ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes, kurse zgjedhje të parakohshme parlamentare po kërkon opozita, por e pranojnë se nuk i kanë numrat për ta rrëzuar Qeverinë.

Lini një Përgjigje