Hesht qeveria e MPJ: Djali i Gucatit s’po mund ta marrë vizën për ta vizituar babanë në Hagë

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati u arrestua nga hetuesit e Speciales në shtator të vitit të kaluar pas publikimit të dokumenteve që ky institucion i konsideronte si konfidenciale.

Ka kaluar pothuajse një vit që nga koha e arrestimit dhe Hysni Gucati po vazhdon të qëndrojë i mbyllur në Hagë së bashku me bashkëluftëtarët e tjerë, shkruan lajmi.net.

Të burgosurve në Hagë nuk u është lejuar të vizitohen nga familjarët e tyre deri me datën 15 korrik të këtij viti.

Por, edhe pas kësaj date Musli Gucatit, djalit të Hysni Gucatit, përsëri nuk i është lejuar vizita në Hagë.

Para një jave, Gucati sqaronte se autoritetet holandeze i’a kanë ndaluar vizitën në Hagë për shkak të vizës, të cilën ia ka refuzuar

“Arsyet që janë dhënë për refuzimin e vizave për shkak që nuk ka pasur mjete të mjaftueshme në xhirollogari janë të kota sepse të gjitha kushtet janë plotësuar, Ministria e Drejtësisë së Kosovës i ka përmbushur të gjitha detyrat e saj ka garantuar për heqjen e të gjitha shpenzimeve, biletat kanë qenë të paguara dhe hoteli është rezervuar”, ka thënë ai.

E sot, Gucati për lajmi.net ka thënë se gjendja ende është e njejtë dhe edhe pse përkundër arsyetimeve jo të forta, as Qeveria e Kosovës e as Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë reaguar aspak rreth kësaj teme.

Gucati, gjithashtu tha se me këtë çështje janë duke u marrur avokatët dhe se po presin deri ditën e hënë se si do të ecin zhvillimet.

“Nuk ka asnjë të re rreth kësaj çështje dhe se as Qeveria e Kosovës e as Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka reagu fare për këtë rast. Me rastin është janë duke u marrur avokatët, sot edhe ditë pushimi po pres deri ditën e hënë, të shoh si po ec procesi”, ka thënë Gucati për lajmi.net.

Hysni Gucati, kryetar i OVL-së dhe Nasim Haradinaj, nënkryetar i kësaj organizate po mbahen në paraburgim në Hagë që nga shtatori i vitit që lamë pas.

Mbi të rëndojnë akuza për pengim të drejtësisë pas publikimit të dosjeve që nga Haga u konsideruan të kenë qenë konfidenciale.

Që nga atëherë, janë mbajtur disa konferenca mbi ecurinë e çështjes ndërsa atyre u janë refuzuar edhe kërkesat për lirim nga paraburgimi.