Hoti: Efektet ekonomike të taksës në tregun vendor janë zero (video)

Avdullah Hoti nga LDK-ja, duke folur për taksën 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka thënë se ajo është vendosur si reaksion dhe jo si pjesë e një strategjie politike.

“Taksa nuk është vendosur si rezultat i një strategjie të veprimit politik të Kosovës karshi Serbisë. Është më shumë reaksion për zhvillimet e caktuara politike karshi Kosovës nga ana e Serbisë”.

“Kjo do të ishte në rregull edhe nëse do të ishte reaksion, por ka ardhur në momentin kur kemi marrë një goditje të madhe për shkak të dështimit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”.

Hoti në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se kjo taksë tash po përdoret për qëllime populiste.

“Problemi me këtë taksë është që po tentohet të përdoret për qëllime populiste duke tentuar të argumentohet mbi baza të përfitimeve ekonomike që ka Kosova si rezultat i vendosjes së taksës”.

Ai e ka mohuar se Kosova ka përfituar ekonomikisht nga taksa 100 %. Madje, ai ka thënë se ka pasë vetëm një zhvendosje të tregut.

“Kam studime nga institute dhe OJQ të caktuara që tregojnë se efektet ekonomike të taksës në tregun e Kosovës janë zero. Prodhimi vendor dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës si rezultat i vendosjes së taksës janë zero”.

“Krejt çfarë ka ndodhur si rezultat i vendosjes së taksës është zhvendosje e tregtisë nga importi i mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja tek importi i mallrave që vijnë nga Sllovenia, Turqia dhe Izraeli – dhe atë kokë më kokë”.

“Në tregun vendor, sipas statistikave, janë rritur çmimet e këtyre mallrave sepse nga Serbia kryesisht kemi importuar mallra ushqimore. Është rritur rreth 5 % çmimi i këtyre produkteve që ndikon në koston e jetës të familjeve me të ardhura të ulëta”.

Hoti nga LDK-ja ka insistuar se taksa është vendosur në mënyrë skandaloze.

“Kemi pasë deklarimet e liderëve të partive të koalicionit ku njëri thotë 10 %, tjetri 20 % dhe më pas 100 % duke u shtyrë se kush po e merr lidershipin karshi kësaj takse”.

“Ka munguar një dialog i brendshëm dhe koordinim më i madh me partnerët ndërkombëtarë”.

Megjithatë, ai ka thënë se taksa nuk e ka penguar dialogun me Serbinë.