Hoti kërkon mobilizim të përgjithshëm për fillimin e vitit të ri shkollor

Kryeministri, Avdullah Hoti, kërkoi sot nga të gjitha institucionet relevante të arsimit në vend që t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për ta filluar sa më mbarë vitin e ri akademik, duke i marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve të shëndetësisë për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID 19.

Ai e bëri këtë kërkesë në një takim virtual të organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës me kryetarët e Komunave të Kosovës dhe drejtorët e Departamenteve Komunale të Arsimit, ku është diskutuar për përgatitjet finale për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj theksoi se Ministria që drejton është në fazën përfundimtare të përgatitjeve. Ai paraqiti tre skenarët e kësaj ministrie për fillimin e vitit të ri shkollor, të cilët janë rikthimi në ambientet shkollore, mësimi i kombinuar, dhe mësimi nga platformat e ndryshme.

Në takim mbizotëroi qëndrimi se, sidomos për klasat e ulëta, prioritet t’i jepet mundësisë së pjesëmarrjes fizike të nxënësve në procesin mësimor, nëse këtë e mundësojnë kushtet epidemiologjike, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, pjesëmarrësit u pajtuan që opsionet e MASH-it të shndërrohen sa më parë në vendime dhe si të tilla t’u dërgohen Departamenteve Komunale të Arsimit, të cilat, varësisht nga kapacitet që kanë, duhet të përcaktohen se cilin opsion do ta zbatojnë në komunën e tyre./Objektiv/