Hoti nuk i përfill sondazhet: LDK është partia favorite për t’i fituar zgjedhjet

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës është partia favorite dhe kryesore për t’i fituar zgjedhjet e përgjithshme në vend.

Hoti deklaroi se në qeverisjen e tij janë larguar nga diskursi dukuri të ndryshme negative, në mesin e tyre korrupsioni dhe nepotizmi.

“Jemi favoriti kryesor, sepse e dini si e kemi gjetur vendin me sanksione ndërkombëtare, përfshirë mikun tonë më të madh [SHBA-në]. Kemi menaxhuar pandeminë. Kosova është në mesin e 3-4 vendeve që më së miri e ka menaxhuar pandeminë.Ne kemi hequr nga diskursi disa dukuri negative si korrupsioni, nepotizmi, jo duke folur para medieve, por me veprime konkrete”, deklaroi Hoti.

“Të gjitha i diskutojmë tani jemi në përgatitje për të shkuar në zgjedhje. Nëse i shihni veprimet që i kemi ndërmarrë për 6, 7 muaj në krye të qeverisë ne jemi favoriti kryesor për të fituar këto zgjedhje. Ju e dini si e kemi gjetur vendit plotësisht të bllokuar, me sanksione ndërkombëtare. E kemi hapur komplet, e kemi menaxhuar pandeminë në mesin e tri katër vendeve që e ka menaxhuar më së miri. Unë jam i bindur që jemi favoriti për ti fituar zgjedhjet, tash kemi përpara për të përgatitur një listë”, tha ai.

Hoti tha se beson që shumë shpejt do të dakordohen me grupet parlamentare për ta miratuar buxhetin e vitit 2021.

“Jemi duke diskutuar, besoj që së shpejti do të dakordohemi. Nga dje kemi filluar bisedën me të gjitha grupet parlamentarë për të kërkuar që të bëhemi bashkë që të kalojmë buxhetin, përfshi edhe LVV-në. Është tepër e rëndësishme të mos hyjmë në janar pa buxhet të miratuar sepse do të kemi vështirësi të panumërta”, tha ai.

Hoti u pyet edhe për 2.1 milionë euro të Thesarit të Shtetit, për çka tha se çështja është duke u hetuar dhe se pret të ketë rezultate së shpejti.

Këto komente Hoti i bëri në hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999”.