Hoti: Nuk lejojmë të rrëmbehet shteti për të cilin kemi sakrifikuar shumë

Kandidati për kryeministër nga LDK, Avdullah Hoti ka folur para qytetarëve në hapjen zyrtare të fushatës së LDK-së.

Hoti është shprehur i vendosur se demokracia do të fitojë kundër autokracisë, duke aluduar në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Me 14 shkurt jeni para dy opsioneve, e para siguron fitore të demokracisë, e dyta vendosje të autokracisë. Ne nuk lejojmë të rrëmbehet shteti për të cilin kemi sakrifikuar kaq shumë. Ne nuk mbahemi me parulla as metafora”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se nuk duhet askush të ketë urrejtje ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga LDK, pasi që sipas Hotit, ata vetëm se janë mashtruar nga demagogjia.

Në fund, Hoti ka thënë se mbështetësit e LDK-së duhet të kenë besim në fitoren e kësaj partie për të mirën e Kosovës.