Hoti për mosprezencën fizike të Kurtit në Tiranë: Ligjëratat nëpër Irlandë, pretekst për të ikur nga ky takim

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka reagua për mospjesëmarrjen fizike të kryeministrit, Albin Kurti në Tiranë për Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Hoti u shpreh se nuk asgjë më të rëndësishme për qeverinë se ky Samit dhe i quajti “ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim”.

“Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim”, shkroi Hoti në Facebook.

Më tutje ish-kryeministri i Kosovës, tha se Samiti në Tiranë është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës”, shprehet Hoti.

“Sipas Komisionierit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”.