Hoti për videon e VV-së: Sjellja e partisë në pushtet, me video montazhe plot shpifje, është fashizëm politik

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas videos së publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ku në atë video ish-qeveritarët akuzohen për vjedhje e zhvatje të Kosovës.

Hoti sjelljen e partisë në pushtet e ka quajtur fashizëm politik.

‘’Në kohën kur duhet punuar në krijimin e unitetit politik për sfidat që na presin, këta duan t’i ikin përgjegjësisë. Në kohën kur delegacioni i lartë i partnerëve kryesorë të Kosovës zbarkon në Prishtinë, me të cilët duhet të ulen e të dakordohen të gjitha partitë politike, këta të pabesë nxisin urrejtje politike dhe pamundësojnë koordinimin e nevojshëm politik’’, ka shkruar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në Facebook.

Postimi i plotë:

Sjellja e partisë në pushtet, me video montazhe plot shpifje, është fashizëm politik — urrejtje e tjetrit vetëm se i përket një grupi tjetër politik. Fundi i çdo lloj fashizmi dihet.

Në kohën kur duhet punuar në krijimin e unitetit politik për sfidat që na presin, këta duan t’i ikin përgjegjësisë. Në kohën kur delegacioni i lartë i partnerëve kryesorë të Kosovës zbarkon në Prishtinë, me të cilët duhet të ulen e të dakordohen të gjitha partitë politike, këta të pabesë nxisin urrejtje politike dhe pamundësojnë koordinimin e nevojshëm politik.

Propaganda shpifëse dhe mashtrimi nuk po kryjnë punë më. Fundin e keni prekur tashmë.