Hoti: Qeveria për aq sa do të jetë me LDK-në do të jetë në krye të detyrës, pavarësisht zhvillimeve politike

Zv/kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria aktuale për aq kohë sa do të jetë LDK-ja aty, do të jetë në krye të detyrës për t’u përballur me situatën, pavarësisht zhvillimeve politike.

“Nuk dua t’iu ngarkoj me zhvillimet politike. POR, JU GARANTOJ SE KJO QEVERI ME LDK-në BRENDA SAJ, PËR AQ KOHË SA DO TË ZGJASË, DO JETË NË KRYE TË DETYRËS PËR TU PËRBALLUR ME SITUATËN. ASNJË DETYRË SHTETËRORE-INSTITUCIONALE NUK DO TË NDIKOHET NGA ZHVILLIMET POLITIKE”, ka shkruar Hoti në ‘Facebook’.

Ai ka thënë se mesazhi i Agim Veliut ditë më parë ku bënte thirrje për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nga i cili u shkarkua, ashtu edhe mesazhi i tij e i liderëve botërorë thonë se gjendja mund të bëhet alarmante.

“Liderët botërorë, si Merkel e Trump, kanë dhënë mesazhe alarmante, jo për panik, por për vetëdijesim, duke ju treguar qytetarëve të vërtetën për rrezikun që ata të respektojnë udhëzimet shëndetësore. Ky ka qenë qëllimi i mesazheve të secilit nga ne, edhe i z.Veliu. Ky është edhe mesazhi im sot – gjendja MUND të bëhet alarmante”, ka shkruar tutje, përcjell FaktePlus.

Tutje i ka bërë thirrje të qëndrojnë në shtëpi e t’i dezinfektojnë rrobat rregullisht.