Hoti tregon pesë veprimet e nevojshme që duhet marrë pas sulmit terrorist ndaj Policisë

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka treguar pesë veprimet e nevojshme që duhet marrë pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës.

Hoti përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, institucionet ndërkombëtare dhe aleatët me të drejtë e kanë cilësuar këtë sulm si akt terrorist, por tani duhet me ngulm të kërkohet përgjegjësi nga Serbia në ndjekjen dhe dorëzimin e terroristëve.

“Institucionet e rendit dhe ligjit të Kosovës, në bashkëpunim me aleatët, duhet të ndërmarrin operacione të gjera të kontrollit për të zbuluar të gjithë rrjetin terrorist”, shkruan tutje Hoti.

Shkrimi i plotë:

Veprimet e nevojshme pas sulmit terrorist ndaj Policisë

1. Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën që shkoi nuk mund të cilësohet si sulm i një grupi të individëve të radikalizuar.

2. Armatimi i konfiskuar dhe sjellja e grupit terrorist dëshmojnë për një sulm terrorist të përgatitur profesionalisht, të cilën gjë mund ta bëjnë vetëm strukturat shtetërore të Serbisë. Nëse kjo nuk qëndron, atëherë Serbia është shtet i dështuar ku mbizotërojnë struktura të armatosura kriminale.

3. Institucionet ndërkombëtare dhe aleatët me të drejtë e kanë cilësuar këtë sulm si akt terrorist, por tani duhet me ngulm të kërkohet përgjegjësi nga Serbia në ndjekjen dhe dorëzimin e terroristëve.

4. Institucionet e rendit dhe ligjit të Kosovës, në bashkëpunim me aleatët, duhet të ndërmarrin operacione të gjera të kontrollit për të zbuluar të gjithë rrjetin terrorist.

5. Hetimi penal dhe gjykimi i personave të përfshirë në këtë akt terrorist duhet të bëhet sipas ligjit vendor, në respektim të konventave ndërkombëtare përkatëse, me transparencë maksimale, duke i informuar në vazhdimësi akterët ndërkombëtarë të sigurisë që operojnë në Kosovë dhe duke i ftuar ata ta përcjellin gjithë procesin e hetimit dhe gjykimit.