Hoxhaj: Asnjëherë s’kemi menduar se do të vijmë në Reçak pa Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin

Kandidati për kryeminstër i PDK-së, Enver Hoxhaj, këtë të premte ka bërë homazhe në Reçak, në 22 vjetorin e masakrës. Në një prononcim për media, Hoxhaj ka thënë se asnjëherë s’kanë menduar se do të vijnë në Reçak pa Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.

Hoxhaj ka deklaruar se Reçaku ishte një ngjarje që e lëvizi ndërgjegjen e botës dhe si rezultat i kësaj ishte intervenimi i NATO-s, në Kosovë në vitin 1999.

“Asnjëherë nuk e kemi menduar se pas 21 vjetësh do të vijmë në Reçak për të nderuar të rënët pa Kadri Veselin, pa Hashim Thaçin, pa Jakup Krasniqin, pa Rexhep Selimin dhe pa komandantët e UÇK-së, të cilët në mënyrë të padrejtë janë duke u përballur me një gjykatë, prej së cilës besojmë se ata do të kthehen të lirë dhe fitimtarë”.

“Çdo shqiptar, çdo evropian duhet ta dijë se ata në Hagë, nuk janë emra dhe mbiemra të përveçëm, ata përfaqësojnë kauzën tonë për liri. Rruga jonë për liri ishte e vështirë, ekzistenca jonë si shtet erdhi nga qytetarë trima dhe punëtorë. Ne e kemi për detyrë ta vazhdojmë sakrificën dhe me vendosshmëri ta ndërtojmë më tej një Kosovë moderne”.

“Ata që janë në Hagë do ta mbrojnë edhe njëherë akuzën tonë për liri dhe do të kthehen fitimtarë”, ka thënë Hoxhaj.