Hoxhaj: Haradinaj po shantazhon kur po thotë “ose unë bëhem President, ose shkojmë në zgjedhje”

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë që pas Gjykatës Speciale, PDK-ja goditjet e vetme që i ka marrë nga brendam, kanë qenë ato të kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt.

“Prej se Gjykata Speciale ka goditur PDK-në nga jashtë, në këta muajt e fundit goditjet e vetme që i ka marrë nga brenda PDK-ja, kanë qenë këto që i ka marrë nga Haradinaj. Sikur qëndrimet që i ka pasë Haradinaj, prej kur Specialja e bëri publike komunikatën e këtij viti. Prej reagimeve të para, ka qenë ajo e tij [Haradinaj], ku e shpalli kandidaturën për t’u bërë president i vendit dhe dy tre ditë pas shkuarjes në Gjykatë të Veselit, Thaçit e të tjerëve, Haradinaj kërcënoi në një intervistë, duke thënë që nëse nuk ka zgjidhje për presidentin, ka zgjedhje të parakohshme”.

Hoxhaj në Rubikon në Klan Kosova, theksoi që kjo është një lloj shantazhi që sipas tij, po e bën Haradinaj, në raport me partitë tjera politike dhe PDK-në.

I NGJAJSHËM

HOXHAJ: IA KAM BËRË TË QARTË HARADINAJT, MUSTAFËS E LIMAJT POZICIONIN E PDK-SË PËR ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT

“Kjo tregon që ai po e ndjek një qasje të shantazhit – ose unë president ose shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Në pikëpamjen time, Haradinaj në 20 vitet e fundit e ka ndjekur një qasje duke e torturuar skenën politike ‘ose unë bëhem kryeministër ose nuk ka asgjë’. Mendoj që PDK-ja, ia ka kthyer nderin Haradinajt, duke e bërë kryeministër në vitin 2017, por edhe vetë LDK-ja e ka ndihmuar Haradinajn që të bëhet kryeministër në vitin 2004. Këto parti politike, duke qenë parti të para fituese kanë sakrifikuar duke e mbështetur një njeri si ai”, u shpreh Hoxhaj.