Hoxhaj: Kandidatura e Osmanit e papranueshme, çështja e mosvotimit të saj është e mbyllur

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se çështja e mosvotimit të Vjosa Osmanit për presidente është temë e mbyllur dhe sipas tij ky mbetet qëndrim i PDK-së.

Hoxhaj tha se arsyeja që PDK nuk e mbështet Vjosa Osmanin për Presidente të Kosovës është se ajo nuk reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

”Qëndrimi i PDK-së është super i qartë. Ne nuk e mbështesim kandidaturën e saj, nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë në votim. Prandaj çështjet e tilla të qëndrimeve në sallë mendoj që janë tema të natyrës teknike.Besoj që e kemi pasur debat të gjatë në takimet e kryesisë së PDK-së, e kemi folë në Këshillin Drejtues dhe kjo temë është e mbyllur. A qëndron në sallë apo jo, nuk ka asnjë vlerë. Vlera është, a merr pjesë apo nuk merr pjesë në votim”, tha ai.

Hoxhaj shtoi se kandidatuara e Vjosa Osmanit është e papranueshme dhe se nuk reflketon as te PDK e as tek qytetarët.

”Dhe qëndrimi ynë është se: Kandidatura e Osmanit është e papranueshme, nuk reflekton më së paku të anëtarëve të PDK-së, por as edhe nuk reflekton edhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës, sepse ka qenë një figurë më shumë polarizuese, përçarëse në raport me qytetarët e Kosovës, por më shumë në raport me ish-subjektin e saj politik të cilin e ka shndërruar viktimë në këto zgjedhjet e fundit”, shtoi ai.