Hoxhaj për shkarkimin e ambasadorëve: Skandal i madh i Qeverisë Kurti

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka komentuar veprimin e djeshëm të Qeverisë për shkarkimin e ambasadorëve të Kosovës.

Ai u shpreh se Qeveria Kurti me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me “çelës politik”, e ka suspenduar Politikën e Jashtme.

Tutje, Hoxhaj tha se ky veprim përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës.

“Qeveria Kurti, me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me “çelës politik”, e ka suspenduar Politikën e Jashtme. Në 23 misione diplomatike, Republika e Kosovës nuk ka ambasadorë. Kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës. Largimi i përnjëhershëm i ambasadorëve me “çelës politik” është i paprecedent, i pamatur, i pa analizuar mirë. Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin të arriturat e dy dekadave të fundit në diplomaci“, shkroi Hoxhaj.