Hoxhaj: Qeveria ka braktisur qytetarët në luftën kundër pandemisë

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka folur në Kuvend rreth prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Albin Kurti.

Ai ka thënë se ky program nuk ka ndonjë plan realizimi, ndërsa e ka kritikuar Kurtin për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme në Kuvend.

“Në vend që të flitet për programin qeverisës, i cili ka pasë mundësi të prezantohet në fund të marsit pa seancë të jashtëzakonshme, e tash do të duhej të ishim duke folur për vaksinimin e qytetarëve, të cilat po i shohim në gjendje të tmerrshme duke u shtyrë për tu vaksinuar sepse nuk ka organizim. Kjo për shkak se këta nuk kanë as përvojë të qeverisjes”, ka thënë Hoxhaj, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se Kurti është vetëm një demagog, ndërsa ka thënë se programi qeverisës është i mangët për sfidat kryesore të Kosovës.

Hoxhaj ka deklaruar se sa i përket dinamikës së vaksinimit, Qeveria nuk do të arrijë të vaksinojë popullatën deri në vitin 2025.