Hoxhaj thotë se duhen reforma të thella në PDK: Nuk duhet të flasim për punët e kryera

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, që njëherësh ka qenë edhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Enver Hoxhaj, ka folur për nevojën e reformës së brendshme në parti.

Ai ka thënë se PDK-ja duhet të bëjë reforma të thella të brendshme dhe të jashtme, duke ndërtuar aleancë me qytetarët e vendit.

“Duhet të kemi platformë të re politike se cilat janë kërkesat e qytetarëve për vitin 2021, pasi që mendoj se nuk duhet të kërkojmë votë nga qytetarët për gjërat që i kemi përfunduar, si njohjet ndërkombëtare, ndërtimi i autostradave etj., ato janë punë që i ka kryer PDK-ja, por tash duhet të dimë interesat e reja të qytetarëve”, ka thënë Hoxhaj në T7.

Ai ka thënë se brenda PDK-së duhet të ketë demokraci të brendshme më të konsoliduar dhe inkuadrim më të madh të grave dhe rinisë.

“Kjo për arsye se mendoj që gratë dhe rinia nuk e kanë mbështetur shumë PDK-në. Gjithashtu duhet të kemi meritokraci brenda partisë, pra një anëtar i ri që vjen në parti, duhet të dijë se ku do të jetë pas pesë vitesh”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, për reformën e jashtme Hoxhaj ka thënë se PDK-ja duhet të jetë e hapur ndaj çdo grupi dhe qytetarëve, duke ndërtuar kështu një lloj aleance.