Humolli paralajmëron dorëheqje nga VV-ja nëse Projektligji për pagën minimale kalon edhe në lexim të dytë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka paralajmëruar largimin nga kjo parti në rast se miratohet në tërësi Projektligji për pagën minimale, pasi pensionet e veteranëve nuk përfshihen në këtë ligj.

Ky ligj u miratua sot në Kuvend në lexim të parë.

Në një deklaratë për Demokracia.com Humolli ka thënë se nëse nuk ndryshohet ky ligj, ai do ta shqyrtoj largimin nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk e kam diskutuar punën e dorëheqjes ende, për shkak se ky është leximi i parë, tash po pres në leximin e dytë a po reflektojnë a jo, presioni është në funksion për ta bërë një ligj më të përshtatshëm”, ka thënë Humolli.

I pyetur se a do të dorëhiqet përfundimisht nga LVV-ja në rast se i njëjti ligj kalon edhe në lexim të dytë, Humolli ka thënë se nuk do të jetë pjese e një mekanizimi i cili nuk punon për atë që ua ka premtuar qytetarëve.

“Unë kam hy për misionin që është bërë në kohën e fushatës dhe nëse devijon nga ajo rrugë nuk kam mundësi me qenë pjese e një mekanizimi i cili nuk punon për atë që ua ka premtuar qytetarëve. por, gjithçka duhet me marr një vendim duke e analizuar dhe ajo ashtu të shpejtë, ka nevojë me pa në disa drejtim e gjerat si po zhvillohen dhe pastaj me marr një vendim të duhur”, ka thënë tutje ai.

Deputeti Humolli, pas votimit të këtij ligji në lexim të parë, e lëshoi sallën, teksa u pa shumë i nervozuar.

Ndërkohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në parim Ligjin për pagën minimale.

68 deputetë votuan pro, kundër nuk kishte, ndërsa abstenuan 6 deputetë nga Grupi multietnik.

Për këtë ligj ishte debatuar shumë kohëve të fundit, madje edhe ishte organizuar një protestë nga organizatat e dala nga lufta, pasi pensionet e veteranëve nuk ishin përfshirë në ligj.