Hysa: Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK’së në Hagë nuk është i rregullt

Ish-diplomat kosovar, Ylber Hysa, komentoi procesin gjyqësor ndaj liderëve të UÇK’së në Gjykatës Speciale që e sheh tani si një proces që ka kaluar në një cinik me tendencë animi e mungesë neutraliteti, transmeton Gazeta Metro.

I ftuar në emisionin “Five” të televizionit Dukagjini Ylber Hysa diskutoi shumë çështje e mes tyre atë të gjykimit të krerëve të UÇK’së. Procesi i deritanishëm ka lënë hapësirë për kritika dhe dyshime rreth mungesë së neutralitetit tha Hysa.

“Nuk duket një gjë e rregullt, jemi të gjithë të vetëdijshëm se ka pasur sjellje të çuditshme të prokurorisë, nganjëherë kishte edhe sjellje të çuditshme të vet gjyqit i cili ka lënë të kuptohet se nuk është gjithnjë neutral për sa i përket kërkesave të palëve, më i hapur ndaj kërkesave të prokurorisë e jo të mbrojtjes.”

I pyetur të rreth procesit se ku i sheh mangësitë e këtij procesi Hysa shpjegoi se po vërehet një cinizëm i gjykatës shto edhe tendencën e vonimit të procesit dhe disa rrethana tjera shtesë.

“Lëre që ka pasur një kohë të madhe para se të ngriheshin akuzat, por nuk dihet se as kur do të fillojë gjykimi, por nuk dihet e as sa mund të zgjasë. Nga numri i madh i dëshmitarëve kemi parë që mund të zgjasë me vite, e ndërkohë patëm një deklaratë interesante nga zoti Dick Marty, që është rrënja e krejt këtij procesi, që ka thënë se ishte nën masat e sigurisë për shkak të mundësisë të ekzekutimit nga shërbimit të Serbisë që në fund do t’ua linte fajin shqiptarëve. E kemi edhe rrethanën e luftës në Ukrainë që po na e rikujton një teatër konflikti ku palët janë të ndara në rolet e tyre, kush është agresori dhe mbrojtësi. Duket cinike kur në një proces ku rikujtohen luftërat e përgjakshme të ish Jugosllavisë nuk është mësuar leksioni. Para disa ditësh ishim koshient për ngritjen së aktakuzës ndaj Milosevic, e njerëzit shpesh harrojnë një fakt që duket teknik por që nuk është. Ai vdiq atje.”

“Milosheviq asnjëherë nuk është dënuar, thuajse me këtë vdekje e ka përqeshur drejtësinë ndërkombëtare, siç e kishte përqeshur gjatë procesit. “

Hysa më tej u thellua në këtë qasje cinike të drejtësisë ndërkombëtare karshi shqiptarëve pa një shkas të duhur në krahasim me palët tjera që shkaktuan luftën, kur dihet se pala shqiptare ishte më e përgjegjshmja në proces. Rrethana e fundit në botë tash kanë theksuar edhe më tej se ky proces po rrezikohet kështu kur dihet se politika serbe nuk ka pësuar aq ndryshime nga koha e luftërave të ish Jugosllavisë.

“Në anën tjetër kemi parë kosovarët të cilët janë të vetmit që në asnjë moment nuk i kanë ikur drejtësisë, nuk janë fshehur siç kanë bërë Karadjic e Mladic, nuk kanë bërë vetëvrasje nëpër gjyqe siç kanë bërë disa të tjerë, kanë qenë aty të rregullt dhe me përgjegjësi jo vetëm për vete por po e mbrojnë atë që është një trashëgimi me rëndësi për shtetësinë e Kosovës. Sot po flasim për Procesin e Vjenës, në themelet e shtetësisë së Kosovës është lufta, nëse dikush ka dashur të kontestoj luftën, realisht ka dashur të kontestojë themelet e kësaj shtetësie”, tha Hysa dhe shtoi i pyetur nëse sheh tendenca të tilla. “Absolutisht është një tendencë. Tek e fundit kujtoni gjyqin në Hagë më parë edhe ky e ka një komponentë edukative përveç asaj penalizuese se bëhet me një qëllim. Nuk e kam të qartë se si ky do të kontribuoj në atë që është thënë, pajtimin e popujve, kur e kemi parë që në Serbi një leksioni i tillë nuk është mësuar. Madje ata nuk konsiderohen se janë fajtorë për tragjeditë që kanë ndodhur në ish Jugosllavi ose janë munduar që me një kontra-doktrinë të thonë se të gjithë jemi njësoj përgjegjës e të relativizojnë këtë probleme, e ajo më ironike shihen projekte politike të gjalla siç është bota serbe, shihet se nuk ka ndryshuar shumëçka nga koha e luftërave në ish Jugosllavi, me tendencën që Serbia të arrij me paqe atë që Milosevic nuk e arriti me luftë dhe në fund nuk e kemi dëgjuar një verdikt për këtë tragjedi që është konsideruar ndër më të mëdhatë pas luftës së dytë botërore”.