Hyseni kritikon ashpër Kurtin pas takimit me Vucic: Po fliste si në tubim të VV’së në ndonjë fshat

Ish-koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë, Skender Hyseni, ka komentuar paraqitjen e Kurtit në takimin e djeshëm që zhvilloi me presidentin serb Aleksandar Vucic.

Hyseni kishte një sërë kritikash për Kurtin, duke thënë se takimi i parë i Kurtit me Vucic ishte një nga dështimet më të mëdha diplomatike të Kosovës.

Ai shtoi se Kurti kishte sjellje arrogante e pa sens diplomatik, duke treguar se kështu po përpiqet të minojë dialogun deri në ndërprerje.

‘’Sjellja arrogante dhe pa sens diplomatik e Albin Kurtit në takimin e djeshëm në Bruksel ishte përpjekje e dëshpruar për të minuar dialogun deri në ndërprerje të plotë. Rrjedhimisht, dje, Albin Kurti shkaktoi njërin nga dështimet më të mëdha diplomatike të Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së saj. Kurti arriti që me sjelljen e tij diletante, krekosjen prej popullisti dhe papërgjegjësine e theksuar, ta dobësonte në masë të madhe pozicionin negociues të Kosovës në vazhdimin e dialogut, i cili, deshi s’deshi Albin Kurti do të vazhdojë’’, shkroi Hyseni.

Ai shtoi se dje Kosova bëri atë që Vucic e Serbia preferojnë, pasi Kurti shfaqi dëshirën e tij për ruajtjen e status-quo’së.

Ky është postimi i plotë:

”Sjellja arrogante dhe pa sens diplomatik e Albin Kurtit në takimin e djeshëm në Bruksel ishte përpjekje e dëshpruar për të minuar dialogun deri në ndërprerje të plotë. Rrjedhimisht, dje, Albin Kurti shkaktoi njërin nga dështimet më të mëdha diplomatike të Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së saj. Kurti arriti që me sjelljen e tij diletante, krekosjen prej popullisti dhe papërgjegjësine e theksuar, ta dobësonte në masë të madhe pozicionin negociues të Kosovës në vazhdimin e dialogut, i cili, deshi s’deshi Albin Kurti do të vazhdojë.
Kosova në Bruksel dje, bëri saktësisht ate që Vuçiq dhe Serbia preferonin.

Kurti shpërfaqi dëshirën e tij për ruajtje të status-quosë. E asgjë më shumë nuk përputhet me strategjinë afagjate serbe dhe interesat serbe sesa mbajtja pezull, në gjendje të ngrirë e kontesitit Kosovë-Serbi me fajin e Kosovës!

Kjo sjellje e kryeministrit aktual të Kosovës dëmton rëndë interesat afatgjata të vendit. Ai dje tregoi se nuk ka vullnet, guxim dhe as dije të mbrojë interesat fundamentale të vendit. E sot, nuk ka interes më të madh dhe më urghent për Kosovën sesa permbyllja e konfliktit me Serbine me njohje të ndërsjellë.

Mburravecëria para kamerave e tij dje në Bruksel të bënte të mendosh se Kurti po i drejtohej ndonjë tubimi të VV-së diku në ndonjë fshat të Kosovës duke bërë monolog popullist dhe folk-patriotik!

Sidoqoftë, rrethanë e mirë është që jo çdo gjë, që të mos them pak gjë, varet nga Kurti dhe Vuçiqi, të cilët duket kanë të njetin qellim, zvarritjen dhe status-quonë.

Dialogu do të vazhdojë, dhe unë besoj se to të mbyllet shpejt!
S.H.”