I akuzoi si komplotues për përplasje civile në vend, Meta takon djalin e George Soros

Presidenti Ilir Meta është takuar mbrëmjen e sotme ne presidencë me Alexander Soros, djali i filantropit të njohur George Soros si dhe Andi Dobrushin, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros në Tiranë. Këshilltari i presidentit për mediat, Tedi Blushi shkruan se Meta i ka njohur ata me përpjekjet e qeverisë për kapjen e institucioneve dhe përkeqësimin e lirisë së medias.

“Presidenti i Republikës Ilir Meta priti në një takim me kërkesë të tyre Zëvendëspresidentin e Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, z.Aleksandër Soros dhe Drejtorin Ekzekutiv të zyrës së Fondacionit në Shqipëri, Andi Dobrushi.

Presidenti Meta i njohu me shqetësimet e Tij, të bëra edhe publike, për përpjekjet e qeverisë për kapjen e institucioneve të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese, për përkeqësimin e lirisë së medias, si dhe për domosdoshmërinë e gjallërimit të shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut”, shkruan Blushi.

George Soros ka qenë i sulmuar nga Meta, me akuzat se qëndronte pas “një komploti të kurdisur prej kohësh për të ushqyer përplasjen civile më 30 qershor, si dhe për të ndikuar reformën në drejtësi”, ndësa sot e fton fondacionin e tij në Tiranë të zgjidhë ngërçin Kushtetues! …”Sorosi” është një pikë që e ka ndarë Metën edhe me Lulzim Bashën siç u zbulua në një urdhër të brendshëm të para pak kohëve, ku selia blu urdhërohej të mos “prekte” Sorosin.

Shqiptarja.com