​Javën e ardhshme debat parlamentar për menaxhimin me COVID dhe sigurimin e vaksinave

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka vendosur që javën e ardhshme të mbahet seanca e rregullt plenare, ku ndër tjerash do të debatohet për gjendjen me pandeminë Covid-19 dhe sigurimin e vaksinave anti-COVID, kjo pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës.

Këtë e bëri të ditur, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se seanca do të mbahet të hënën në orën 10:00.

“Të hënën më 26 prill do të ketë seancë të rregullt të Kuvendit të Kosovës në të cilën, mesin e tjerave është përfshirë edhe kërkesa për debat parlamentar i PDK-së lidhur me gjendjen e pandemisë Covid-19 në Kosovë”, tha ajo.

Inicimin e kërkesës së PDK-së për debat parlamentar e mirëpriti, Abelard Tahiri, i cili adresoi edhe kritika ndaj qeverisë Kurti për menaxhimin me pandeminë dhe vonesat në sigurimin e vaksinave anti-Covdi 19.

“Kjo çështje është urgjente dhe kemi shpreh pakënaqësinë dhe mllefin në vazhdimësi se jemi ndër vendet e fundit në botë që ende nuk e shohim dritën në fund të tunelit sa i përket sigurimit të vaksinave në vendin tonë. Fatmirësisht tash vinë disa lajme të mira nga BE dhe ShBA, por kurrsesi nuk po shohim një angazhim më serioz, siç po shohim angazhim të të gjitha institucioneve në rajon për sigurimin e vaksinave. Qëndrojmë të fundit në Evropë jemi jashtëzakonisht keq. Numri i vdekjeve po rritet, numri i testimeve po bie nga kjo qeveri e papërgjegjshme. Mendoj që ky debat parlamentar që do të mbahen të hënën do t’i kontribuojë sado pak kësaj rritje të angazhimit të qeverisë”, tha ai.

Para këtij debati parlamentar, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia të raportojë në Komisionin për Shëndetësi.

“Ne kërkojmë që një raportim i tillë të ndodh sa më shpejtë si parapërgatitje e një debati në Kuvend sa i përket pandemisë”, tha ai.