I shpallur në kërkim ndërkombëtar, kapet 50-vjeçari nga Serbia në Morinë

Një 50-vjeçar banues në Serbi u arrestua në Morinë, ndërsa tentoi të hynte në Shqipëri duke qenë në kërkim ndërkombëtar.

Ai ishte shpallur në kërkim nga Gjermania për falsifikim të dokumenteve dhe përvetësim të sendeve të vjedhura, kryer në formën e grupit kriminal.

“Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Berlin, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, shtetasi i kërkuar ndërkombtarisht I. B., 50 vjeç, banues në Serbi.

Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Berlin, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i sendeve të vjedhura”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, në formën e grupit kriminal, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Gjermanisë,” – thuhet në njoftim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit./Euronews Albania/