I shpallur në kërkim për dy grabitje në Tiranë, arrestohet Kristi Çinari. Ishte pajisur me kartë ID kosovare

Policia ka mundur të arrestojë Kristi Çinarin, personin i cili dyshohet për dy grabitje të ndodhura në Tiranë.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se Çinari ishte pajisur me kartë identiteti kosovare, me emrin Blerim Krasniqi i lindur në Prishtinë. Çinari dyshohet të jetë autori i grabitjes në institucionin financiar “Kredo.al”, filiali tek zona e “Brrylit” në Tiranë.

Ngjarje kjo e shënuar mbrëmjes e së shtunës, ku dyshohet se i riu hyri në institucionin financiar dhe i maskuar kërcënoi punonjësin dhe vodhi një shumë parash.

Gjithashtu Kristi Çinari dyshohet të jetë autor edhe i grabitjes ndodhur mbrëmjen e djeshme në një farmaci pranë shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë.