I vendosi tritolin shtëpisë së kushëririt pas konfliktit, arrestohet 60 vjeçari në Tiranë

Një burrë 60 vjeçar i identifikuar me emrin Petrit Haxhiu është arrestuar sepse akuzohet që i ka vendosur tritolin dritaren së banesës së kushëririt të tij, Blerim Haxhiut.

Kjo ngjarje ka ndodhur në fshatin Bastar të Mesëm, në Tiranë. 60 vjeçari mësohet të ketë qenë i dehur kur e ka bërë këtë akt, ndërsa një natë më parë dy kushërinjtë ishin bashkë dhe po pinin alkool. Më pas, ata ishin zënë dhe 60 vjeçari shkoi në shtëpinë e tij t’i vendoste tritolin.

Janë sekuestruar 3 kallëpe me lëndë plasëse, një fitil me detonator dhe 20 metra fitil zjarrpërcjellës.

Njoftimi i Policisë:

Falë reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve profesionale në vendngjarje, identifikohet dhe vihet ne pranga autori i vendosjes së lëndës plasëse në dritaren e banesës së shtetasit B. H. Sekuestrohen 3 kallëpe me lëndë plasëse, një fitil me detonator dhe 20 metra fitil zjarrpërcjellës. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 4, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Bastar i Mesëm, ku ishte vendosur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit B. H., bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”, i shtetasit P. H., 60 vjeç, pasi në fshatin Bastar i Mesëm, Njësia Administrative Zall Bastar, dyshohet se ka vendosur një sasi të vogël lënde plasëse në dritaren e banesës e shtetasit B. H., duke i shkaktuar dëme të lehta materiale.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 20 metra fitil zjarrpërcjellës, një detonator dhe 3 kallëpe të dyshuara me lëndë plasëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.