IKSHPK alarmon pas rasteve të para të variantit të ri të COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka alarmuar qytetarët pas shfaqjes së rasteve të reja me variantin e ri të COVID-19 në Kosovë.

IKSHPK iu ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, të ndalohen takimet me njerëz, tubimeve, respektim të masave kufizuese, kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe të ngjashme.

Por, as kësaj radhe IKSHPK nuk ka dështuar të bëjë një lajthitje gjuhësore.

“Masat parandaluese janë të njejta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së ku vërehet se fjala “aksent”, përdoret në vend të fjalës “theks” në shqip.

Njoftimi i plotë:

IKSHPK përsëri me thirrje për qytetarët: Qendroni në shtëpi, ndaloni tubimet

Duke pasur parasysh shfaqjen e rasteve te reja me variantin e ri të virusit SARS CoV-2 në Kosovë dhe vlerësimin e situatës aktuale me COVID -19, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Masat parandaluese janë të njejta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.

Andaj rekomandojmë edhe një herë:

1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;

2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;

3. Ndalimi rigoroz i tubimeve sipas vendimeve në fuqi;

4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;

5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke redukuar edhe kohën e punës gjatë ditës.

IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Qytetarë të nderuar,

Ju lutemi për kujdes të shtuar!

Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:

Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Mbani higjienën!

Respektoni distancën!

Mbani në mend:

FYTYRA E MBULUAR ME MASKË! DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!.