Infektologu Ahmeti: Numri i të infektuarve me koronavirus mund të jetë edhe më i madh

Infektologu Salih Ahmeti, ka folur lidhur me gjendjen e pacientëve të hospitalizuar pozitive me koronavirus në Klinikën Infektive.

Ahmeti tha se rastet që po pranohet në trajtim po kanë edhe komplikime të tjera.

“Këto rastet që kanë rezultuar pozitiv sot i kemi hospitalizuar. Gjithsej i kemi 62 raste të hospitalizuar me Covid-19, plus edhe një grup që është në pritje të rezultateve. Pasi të iu merret mostra do të pritet për rezultatet virologjike të tyre “.

“Aq sa është brengosëse numri i rasteve që dalin, aq më brengosëse është edhe se kemi filluar të pranojmë numër më të madh të rasteve. Rastet janë gjithnjë e më të rënda, dhe kur vijnë ata kanë edhe komplikime si raste pak a shumë të vonuara .Kishte me qenë e mundur që ne ti pranojmë këto raste në fazat sa më hershme sepse përdorimi sa më hershme i terapisë në ditët e hershme është përcaktuese e ecurisë së shërimit “.

Ai shtoi se mënyra e testimit po bëhet në mënyrë të rastësishme, nga kontaktet e mëparshme apo identifikimi në rrethet familjare si raste të kontaktit.

Ahmeti theksoi se ky numër duhej të ishte edhe më i madh, nëse do të kishte testime edhe më shumë.

“Ndërsa mostrat janë mostra të hulumtimit dhe gjurmimit e personave të cakut, janë mostra të kontaktit dhe nuk janë mostra të rastësishme. Ata janë marrë nga rrethet familjare apo identifikuar nga rastet e mëparshme dhe natyrisht numri i rasteve duhet të jetë edhe më i madh duke pasur parasysh distribuimin e virusit”.