Infektologu Tolaj tregon simptomat që po i shkakton infektimi me Covid-19

Infektologu Ilir Tolaj ka treguar për Front Online disa nga simptomat e coronavirusit që është përhapur sërish në vend.

“Simptomat janë ato të cilat tashmë janë të njohura për COVID me përjashtim se problemet me frymëmarrje janë shumë pak ose aspak prezentë. Simptomat tjera janë të shprehura me intensitet më të ulët në përgjithësi shumica e këtyre infeksioneve tash ose janë asimptomatike ose kanë një simptomatologji dhe ecuri të lehtë. Për këtë arsye edhe shumica e të infektuarve e kalojnë pa ditur se janë sërish të infektuar apo e kalojnë në këmbë e me pak simptoma”, theksoi ai.

Ky është njoftimi i Institutit për Shëndetësisë Publike lidhur me situatën epidemiologjike në Kosovë:

Në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) janë raportuar 67 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes me COVID-19.

Sipas grup-moshave rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grup-moshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.

Prej rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste) kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë.

Përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Republikën e Kosovës me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim në COVID-19.