Inspektohet tregtari në Vushtrri, 100 kg miell i shiste për 80 euro

Në Vushtrri sot është ndaluar një tregtar i cili po shiste miell me çmime të larta. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, ku tregtari 100 kg miell i shiste për 80 euro.

Inspektorati i Komunës së Vushtrrisë, në bashkëpunim me Policinë e Stacionit të Vushtrrisë, ka marrë raportime nga një qytetar dhe kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook në faqen zyrtare të Komunës së Vushtrrisë.

“Rritja e çmimeve në këtë periudhë pandemie globale për shkak të Coronavirus është vepër penale e dënueshme me ligj. Tregtarët e pandërgjegjshëm po e prishin imazhin e shumicës së bizneseve që me nderë po e kryejnë punën e tyre në këtë situatë të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftimin e tyre.

Qytetarët e Kosovës kanë filluar të kenë frikë për shkak të mosfurnizimit të mjaftueshëm me ushqime.

Deri tani në Kosovë janë shënuar 16 raste me koronavirus.