IPK konfirmon se nuk ka policë të dyshuar për incidentin në Skënderaj

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), konfirmon se deri më tani nuk ka asnjë polic të dyshuar për incidentin e mbrëmshëm në Skënderaj, ku mbetën të plagosur dy zyrtarë policor. Në këtë konflikt dyshohet se është përfshirë ish-nënkryetari i Skënderajt, Nuredin Lushtaku, bashkë me disa familjarë të tij.

Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, IPK thotë se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar, prandaj hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve janë njoftuar lidhur me këtë incident. Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës (pas që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar)”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë Gazetës Express.

Policia e Kosovës ka konfirmuar plagosjen e dy zyrtarëve policorë, mbrëmë në orët e vona në Skënderaj. Njëri polic është plagosur me armë zjarri e tjetri është lënduar me mjete të forta.

Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona, ndërsa dy të tjerë ndodhen në arrati, ka konfirmuar policia.

Njoftimi i plotë i policisë:

Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pike të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri është i plagosour me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.

Të dy zyrtarët policorë janë jasht rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjeksorë.

Deri në këtë fazë dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia.

Lidhur me rastin janë duke u ndermarr veprime operative dhe hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante.