IPK sqarohet për rastin e policit: Suspendimi është bërë nga Policia e Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë një sqarim në lidhje me suspendimin e policit Amir Hoxha.

Përmes një postimi në Favebook, IPK-ja ka bërë të ditur se suspendimi është bërë nga Policia e Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës sot që nga orët e hershme të mëngjesit ka pranuar kërkesa të shumta lidhur me suspendimin e një zyrtari policor në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës .Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.

IPK-ja bën të ditur se hetuesit e tyre merren me vepra penale të kryera nga punënojësit e policisë.

“Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së hetuesit e IPK-së hetojnë të gjitha veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj. Rekomandimi për suspendim nga IPK bëhet në rastet e hetimit të veprave penale dhe kur është në interes të procedurës hetimore – penale”, thuhet tutje në njoftimin e inspektoriatit.