Isa Mustafa i përgjigjet Muharrem Nitajt: Është turp të krahasosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese me vezët

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur Muharrem Nitajt për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nënkryetari i AAK’së, Muharrem Nitaj ia ka kujtuar Isa Mustafës një shkeljetë Kushtetutës që i kishte bërë Shefi i LDK’së kur kishte nënshkruar Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilën e kishte rrëzuar Gjykata Kushtetuese.

Madje, Nitaj ka thënë se logjika e Isa Mustafës është sikur e fshatarëve që diskutojnë se pula e kujt po bën ve më të mëdha.

“Pula e kojshisë gjithmonë venë e bën më të madhe”, ka thënë Nitaj.

Një kundërpërgjigje për këtë e ka lideri i LDK-ës Isa Mustafa.

Ai u shpreh se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të qarta.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar në asnjë pikë se është shkelur Kushtetuta me Marrëveshjen për kriteret për Asociacionin në vitin 2015, sepse marrëveshja nuk ka qenë akt juridik, por ka dhënë vërejtje për frymën kushtetuese, dhe ka konstatuar se Asociaioni duhet të themelohet sipas Marrëveshjes së parë të vitit 2013, të nënshkruar nga Thaçi dhe të ratifikuar nga Kuvendi”, shkruan Mustafa.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e Isa Mustafës në facebook:

“Është e turpshme kur një deputet i Kuvendit të Kosovës e krahason një vendim të Gjykatës Kushtetuese me vezët e vogla dhe të mëdha. Në këtë nivel ka rënë deputeti ynë dhe në këtë nivel ka katandisur përgjegjësia dhe ndërgjegja jonë shtetërore.

Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese është i qartë. Me asgjë shkronjë Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar se unë e kam shkelur Kushtetutën në vitin 2014 kur jam zgjedhur Kryetar i Kuvendit. Por, unë e kam respektuar vendimin e Gjykatës për procedurat, dhe ditën që është publikuar e kam braktisur zyrën e Kryetarit të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar në asnjë pikë se është shkelur Kushtetuta me Marrëveshjen për kriteret për Asociacionin në vitin 2015, sepse marrëveshja nuk ka qenë akt juridik, por ka dhënë vërejtje për frymën kushtetuese, dhe ka konstatuar se Asociaioni duhet të themelohet sipas Marrëveshjes së parë të vitit 2013, të nënshkruar nga Thaçi dhe të ratifikuar nga Kuvendi.

Prandaj, Gjykata kushtetuese nuk mbaron vezë, në logjikën e deputetit tonë, por sjell vendime. Dhe shkelësit, përfshirë edhe deputetët që kanë votuar Ligj në kundërshtm me Kushtetutën duhet ta ndien veten përgjegjës. Ndryshe, tallen me vetëveten, tallen me shtetin e Kosovës që e kanë mbërthyer deri në fyt me krim dhe korrupsion.”