Ish deputeti i VV-së i thotë Kurtit: Edhe Mimoza Kusari ishte në anën e atyre që amnistuan krimet e luftës

Ish-deputeti i LV-së, Afrim Kasolli ka komentuar përplasjen kryeministrit Albin Kurti me ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, rreth Projektligjit për Institutin e krimeve të luftës.

Gjatë seancës së djeshme në Kuvend, Kurti ka akuzuar Tahirin se në vitin 2013 ka qenë në anën e atyre që kanë amnistuar krimet e luftës.

Kurse, Kasolli ia ka rikujtuar kryeministrit se në atë kohë, edhe shefja e Grupit Parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka qenë në anën e Tahirit.

Sipas tij, veprimi i kryeministrit tregon për hipokrizinë e tij.

“Për ta kuptuar hipokrizinë e Albin Kurtit, si shembull konkret mund ta marrim polemikën që dje e pat me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, lidhur me Ligjin për Institutin e krimeve të luftës. Kryeministri e akuzoi këtë të fundit, se me 2013 i kanë amnistuar kriminelët e luftës. Sepse i njëjti paska qenë në anën e gabuar të historisë në atë kohë. Kryeministër hulumto pak në taborin tënd. Me sa dihet nga opinioni, Mimoza Kusari shefja e grupit parlamentar të partisë sate, ka qenë në atë kohë në atë anë. I ka gëzuar të gjitha privilegjet e mundshme të atij pushteti. Ka qenë në majat kulmore të tij. Ke edhe të tjerë. Por kjo mjafton. Apo ajo mbase tash dhe të tjerët janë spastruar nga mëkatet e së kaluarës, me vet faktin se kanë vendosur të subordinohen ty. Cinizmi pa parime tjetër fytyrë nuk ka. Pos standreteve të dyfishta që në vazhdimësi i ka manifestuar kryeministri. Ku kush është me të në mënyrë inherente bëhet i mirë. Kurse kush është në anën tjetër është kriminel dhe tradhtar”, ka shkrua Kasolli në profilin e tij në “Facebook”.