Rifillojnë seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Ish-krerët e UÇK-së do të dalin sot sërish para trupit gjykues në Hagë, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre.

Seancat rikthehen pas një pushimi tre javor të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të dëgjojnë dëshmitarin e radhës kundër tyre, të cilin e sjell Zyra e Prokurorit të Specializuar, që i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës.

Ky do të jetë dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë me radhë, ndërsa ende nuk dihet nëse do të dëshmojë nën masa mbrojtëse të sigurisë apo me identitet të fshehur.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.