Ish-diplomati amerikan alarmon: Kosova s’mund ta trajtojë ShBA-në si burim i pafundëm i mbështetjes

Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Fried ka thënë se se situata e krijuar në veri të Kosovës i ka rrënjët tek mospranimi nga Serbia i realitet të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës, por se përgjegjësia për vendimarrjen që çoi në incidentet e fundit rëndon mbi Kosovën.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Fried ka thënë se kryeministri i Kosovës duhet të gjejë një mënyrë një mënyrë për t’u tërhequr, në mënyrë që të relaskohet situata në veri të vendit.

“Qeveritë bëjnë gabime dhe shpresoj, që në njëfarë niveli dhe ndoshta në të gjitha nivelet, qeveria e Kosovës do ta pranojë këtë, por është një periudhë e vështirë. Në të njëjtën kohë, kjo nuk do të ndryshojë faktin se Serbia duhet të përballet me realitetin. Tani, shpresojë që qeveria e Kosovës të gjejë një mënyrë që të korrigjojë gabimet e saj fillestare”, ka thënë ai.

Ish-diplomati amerikan paralajmëroi se Kosova nuk duhet ta marrë si të mirëqenë mbështetjen amerikane, pasi kjo do të ishte një qasje e gabuar.

“Mendoj se qeveria e Kosovës mendon se mbështetja amerikane është automatike pavarësisht veprimeve të tyre. Shtetet e Bashkuara morën një vendim për të mbështetur pavarësinë e Kosovës në vitet e para të këtij shekulli. Unë kam qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes. Kjo ishte zgjedhja që bëmë. Mund të kishim bërë të tjera zgjedhje, por mendoj se zgjodhëm me mençuri. Megjithatë, Kosova duhet të përfitojë nga kjo mundësi dhe të konsolidojë pozicionin e saj dhe jo thjesht t’i trajtojë Shtetet e Bashkuara sikur një burim të pafund mbështetjeje të verbër, të padiskutueshme, në çdo rrethanë. Ajo këshillohet të përfitojë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa”, ka thënë tutje ai.