Ish-drejtori i Policisë: Do ketë protesta tjera nga serbët për dinarin, duke përdorur krizën humanitare do krijojnë tensione të reja në veri

Serbët protestuan të hënën në Mitrovicën e veriut, e thirrur nga Lista Serbe.

Protestuesit ishin nga të gjitha komunat ku jetojnë komuniteti serb.

Ata kundërshtuan vendimin e Qeverisë për përjashtimin e dinarit serb me parullat “Evropa hapi sytë, pensionin tërë jetën e kam marrë e merituar, nuk ia jap Kurtit”.

Rreth 1 mijë e 800 persona dolën në protestë, nuk pati ndonjë incident, njoftoi Policia e Kosovës pas përfundimit të ngjarjes.

“Janë detyruar të dalin të gjithë në protestë të cilët marrin paga nga Serbia, në veçanti pensionistët”.

Kështu po thotë për Front Online ish-drejtori i Policisë, njëherit anëtar në Komisionin për Siguri, Rashit Qalaj.

Protestat e grafitet nga serbët, Qalaj i ka quajtur propagandë e orkestrim nga Beogradi.

Ish-drejtori i Policisë thotë se Vuçiqi në Këshillin e Sigurimit vendimin e BQK-së e paraqiti si çështje humanitare.

“Në fjalimin e Vuçiqit në Këshillin e Sigurimit ai është munduar të paraqes vendimin e BQK si një vendim që mund ta atakoj çështjen humanitare të Serbisë. Disa fjalime që janë dëgjuar nga pjesëmarrësit në atë protestë ata kanë cilësuar që në veri mungon ushqimi serb, barnat serbe nëse ka mungesë mund të flitet për barna e jo serbe është propagand e orkestrime nga Beogradi”, thotë Qalaj për Front Online.

Ish-drejtori i Policisë, njëherit edhe deputet i PDK-së, Rashit Qalaj ka folur për Front Online lidhur me situatën në veri pas vendimit të BQK-së për dinarin.

Qalaj tha serbët nuk do të ndalën me një protestë do vazhdojnë në qytetet tjera.

Ai thotë se duke përdorur krizën humanitare do krijojnë tensione të reja në veri.

“Protestat e tilla do të organizohen edhe në pjesët e tjera si Graçanic e Shtërpcë pasi duke u bazuar edhe në deklaratën e sotshme të Listës Serbe e cila i dënon gjoja ato akte që sipas tyre i ka bërë dikush tjetër e jo Lista Serbe e populli i tyre në mënyrën indirekte mundohen ti sulmojnë institucionet e Kosovës gjoja po manipulojnë. Serbët janë duke bërë përpjekje që duke përdorur krizën humanitare të krijojë tensione të reja jo vetëm në veri po edhe në pjesët e tjera të Kosovës”, thotë Qalaj për Front Online.

Në veri të Mitrovicës janë vendosur disa grafite me mesazhin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”. Grafite të ngjashme janë shkruar edhe në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

KFOR’i vëzhgoi protestën për dinarin në Mitrovicë.

Nga KFOR-i reaguan duke thënë se “jemi reaguesi i tretë, koordinohemi me Policinë dhe EULEX’in”.

KFOR-i rithekson se është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, “për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes”.