Ish-gjykatësi i EULEX-it është zgjedhur në krye të kushtetueses në Hagë

Ish-gjyqtari i EULEX-it Vidar Stensland është zgjedhur si gjykatës kryesues i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushteteuese në Hagë.

Kështu është bërë e ditur nga DHSK-ja, ku theksohet se mandati i Stenslan fillon më 1 qershor dhe është një-vjeçar.

“Në një vendim të lëshuar më 25 prill 2022, gjykatësit e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese (DHSGJK) vendosën të zgjedhin gjykatësin Vidar Stensland si gjykatës kryesues të DHSGJK-së, në përputhje me Rregulloren e Punës së DHSGJK-së, për një mandat njëvjeçar i cili fillon më 1 qershor 2022”, thuhet në njoftim.

Stensland ka qenë gjykatës në Gjykatën e Apelit të Halogalandit (Haalogaland) në Tromsë (Tromsø) që nga viti 2001.

Ai punoi si gjykatës i EULEX-it, në gjykatën themelore të Mitrovicës, nga 2013 deri më 2016.

Nga 2007 deri më 2009, punoi si këshilltar ligjor dhe më pas si kreu i Misionit Këshillimor të Norvegjisë për Shtetin Ligjor në Gjeorgji.

Nga 2004 deri më 2009, ishte anëtar i Komisionit për Rishikimin e Çështjeve Penale në Norvegji.

Nga 2000-2001, ai punoi në zyrën e vetë të avokatisë. Gjatë periudhës 1985-1999, ai ka shërbyer në poste të ndryshme në Prokurorinë e Norvegjisë si kreu i departamentit për ndjekje penale/zëvendësshef i policisë, prokuror i lartë në Norvegjinë veriore dhe në Autoritetin Kombëtar të Norvegjisë për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve ekonomike dhe ambientale.